top of page

Motrat Brontë, Ted Hughes dhe Sylvia Plath.

  • Writer: Emanuel Bajra
    Emanuel Bajra
  • 2 days ago
  • 4 min read



Dy herë në vit, unë ia kushtoj vetes një ose dy vizita te shkrimtarët, poetët dhe njerëzit e kulturës. Nuk është pelegrinazh. Nuk është as ndonjë ritual romantik për ta ndjerë veten më afër hijes së tyre. Është më shumë një detyrim i brendshëm, një borxh moral ndaj atyre që kanë krijuar botë të tëra me mendje, me vetmi, me vuajtje dhe me talent. Ndaj disa prej tyre kam një afërsi të kahershme, i njoh mirë, i kam lexuar gjatë. Disa të tjerë i kam takuar më vonë, por me të njëjtin respekt.

Kësaj here, pas De Radës dhe Walter Benjamin-it, radha i erdhi një pjese të madhe të letërsisë angleze. Një udhëtim jo vetëm drejt vendeve, por drejt jetëve që e kanë formësuar imagjinatën letrare të botës.

Shtëpia muze e motrave Brontë nuk është thjesht një muze letrar. Është muze i tri jetëve të shkurtra, të ndezura fuqishëm dhe të fikura shumë herët, në një kohë kur tuberkulozi ishte dënim i zakonshëm. Por pikërisht ajo jetë e kufizuar, ajo rritje në thellësitë e Yorkshire Moors, u kthye në themel të një ngritjeje të jashtëzakonshme letrare. Aty, në izolim, në një peizazh të ashpër e të zhveshur, lindi një nga ndjeshmëritë më të fuqishme të letërsisë botërore.

Motrat Brontë nuk shkruan thjesht romane. Ato sollën një tension të ri shpirtëror. Me to, atmosfera nuk ishte më sfond, por personazh. Jeta e brendshme u bë qendra e rrëfimit. Intimja, autobiografikja, dhimbja dhe rebelimi morën një formë të re në letërsinë angleze dhe përtej saj.

Që nga çasti kur hyn në shtëpinë e tyre, me dhomat e vogla, tavolinat e vjetra dhe heshtjen që të rrethon, e kupton se jeta e tyre nuk kishte asgjë të zakonshme. Çdo objekt fiton peshë tjetër. Letërsia aty nuk duket si produkt i rehatisë, por si nevojë, si shpëtim, si mënyrë për të krijuar hapësirë aty ku jeta ishte e kufizuar.

Ato u rritën nën disiplinë të fortë, në rrethana të vështira, me humbje dhe sëmundje. E megjithatë krijuan vepra që u lexuan nga miliona njerëz. Kur e viziton atë shtëpi, ndien peshën e një jete të jetuar me përkushtim dhe një zjarr të brendshëm që nuk u shua.

Por trashëgimia e tyre nuk do të mbijetonte vetvetiu. Gjithmonë duhet një ruajtës. Max Brod për Kafkën. Port Bou për Benjamin-in. Kisha e Macchia Albanese për De Radën. Për motrat Brontë, këtë rol e luajti Elizabeth Gaskell. Pa të, shumëçka do të ishte humbur në heshtje.

Jo larg Haworth-it ndodhet Mytholmroyd, vendlindja e Ted Hughes. Aty afër është edhe Heptonstall, ku prehet Sylvia Plath. Vetë afërsia e këtyre vendeve të jep ndjesinë se letërsia lidhet fort me tokën, me peizazhin, me kujtimin.

Marrëdhënia mes Hughes dhe Plath mbetet një nga historitë më të errëta të letërsisë angleze. Aty përzihen dashuria, tradhtia, dhuna emocionale dhe sëmundja. Hughes shpesh shihet si figurë e rëndë dhe e ashpër, ndërsa Sylvia si një mendje e jashtëzakonshme, por e plagosur thellë, që nuk arriti të dalë nga një depresion i rëndë dhe i dha fund jetës në vitin 1963.

Megjithatë, përtej jetës personale, Ted Hughes mbetet një nga poetët më të fuqishëm të shekullit të njëzetë. Poezia e tij ka një energji të egër, një lidhje të thellë me natyrën dhe me forcat primitive. Ai nuk e trajton natyrën si dekor, por si një sistem brutal dhe të bukur njëkohësisht.

Në vargjet e tij ndien tokën, kafshën, gjahun, ciklin e jetës dhe vdekjes. Ka një intensitet të rrallë në gjuhën e tij, një disiplinë të fortë dhe një precizion që e bën poezinë e tij të qëndrueshme. Ai e riktheu poezinë angleze në kontakt me elementaren, me atë që është e thellë dhe shpesh e pakëndshme.

Si Poet Laureat i Britanisë, ai nuk ishte vetëm figurë institucionale, por një autor që ndikoi fuqishëm në poezinë moderne. Vepra e tij nuk kërkon simpati, por vëmendje. Nuk të përkëdhel, por të përball.

Edhe libri i tij i vonshëm Birthday Letters tregon një Hughes tjetër, më reflektiv, më i përmbajtur, një përpjekje për ta kuptuar të kaluarën dhe marrëdhënien me Plath-in. Një dëshmi se edhe brenda një figure të fortë ekziston hapësirë për introspeksion.

Ndërsa Sylvia Plath mbetet një nga zërat më të fuqishëm dhe më të ndjeshëm të letërsisë moderne. Në veprën e saj ka dhimbje, por edhe mjeshtëri. Ka errësirë, por edhe kontroll artistik të jashtëzakonshëm. Ajo nuk është vetëm një autore, por një përvojë shpirtërore.

Një vizitë në këto vende nuk është thjesht udhëtim kulturor. Është përballje me jetët, me vuajtjen dhe me madhështinë që lind prej saj. Është rikujtim se letërsia nuk lind në rehati, por në përpjekje, në vetmi dhe në kufizim.

Këto vizita bëhen reflektim. Të kujtojnë se arti nuk është zbukurim, por themel i kujtesës sonë. Se dikur është krijuar me përkushtim dhe është paguar shtrenjtë për të.

Në fund, këto vende nuk të lënë të dalësh njësoj siç ke hyrë. Të japin frymëzim dhe shpresë, por mbi të gjitha të japin masë. Të kujtojnë se letërsia e madhe nuk është aksident. Është jetë e jetuar në skaj, e kthyer në gjuhë.

 
 
 

Comments


I am a scribbler, book collector, and former banker based in London. One of my notable achievements is designing this website, which I eventually entrusted to my kids for further enhancement. They've done a good job, I guess! 
I have a vivid imagination, often envisioning realities that exist in distant realms.

If this intrigues you, I invite you to explore my blog further.

Alienation.jpg

© 2023 by Train of Thoughts. Proudly created with Wix.com

bottom of page